Monday , April 21 2014
You are here: Home / Intervista / Floriana Garo: Puna si drejtoreshë në Akademinë e Shkencave, eksperiencë e shkëlqyer

Floriana Garo: Puna si drejtoreshë në Akademinë e Shkencave, eksperiencë e shkëlqyer

Në fare pak kohë ajo arriti të bëhej e njohur dhe e pëlqyer nga publiku. Quhet Floriana Garo dhe është shumë e bukur, por po tregon çdo ditë e më shumë se bukuria nuk është i vetmi virtyt që ka. Përveçse të na informojë me parashikimin e motit në “ABC News”, ajo do të na japë kënaqësinë ta shohim në prezantimin e “Festivalit të fundvitit” në RTSH. Por nuk mbaron këtu… Prej pak ditësh, përfaqësues së bukurisë shqiptare nëpër botë, i kanë besuar edhe një detyrë të re. Floriana i është bashkuar stafit të “Akademisë së Shkencave” si drejtoreshë e marrëdhënieve me jashtë. Thotë se po arrin t’i bëjë të gjitha, duke marrë shumë kënaqësi. Ne i urojmë suksese!

Kohët e fundit për ty kemi dëgjuar gjëra të reja. Ca thashetheme, e ca të vërteta. Në fillim po të pyesim për të vërtetat… Si ndodhi që u bëre drejtoreshë e marrëdhënieve me jashtë në “Akademinë e Shkencave”?
Oferta m’u bë nga kryetari i Akademisë, i cili ishte pjesëmarrës në një aktivitet akademik që unë prezantoja. Pasi konsideroi aftësitë e mia të komunikimit, të gjuhës angleze dhe shkollimin tim në Amerikë, ai më ofroi këtë vend të shkëlqyer pune, i cili për momentin ishte i hapur.
Të pëlqen kjo detyrë?
Në fakt detyra më pëlqen shumë. Është pikërisht në fushën që unë kam studiuar në SHBA, dhe në të cilën po përfundoj masterin tani, domethënë “Marrëdhëniet Ndërkombëtare”.
Në çfarë konsiston konkretisht puna që bën? Na trego si fillon si mbyllet një ditë pune e jotja?
Puna ime konsiston në mbajtjen e korrespondencës me akademikë të huaj, marrëdhënie me publikun, si dhe organizim konferencash e aktivitetesh. Momentalisht jam e përfshirë në organizimin dhe prezantimin e 40-vjetorit të themelimit të “Akademisë së Shkencave”, ceremoni e cila do të zhvillohet në sallën e “Universitetit të Arteve”. Puna është interesante dhe koha kalon shpejt, me përgatitjet në zyrë dhe takime të shumta jashtë Akademisë.
Si po ndihesh në ambientin e ri?
Vërtet mirë! Ndjej sikur kam punuar atje prej kohësh. Çdo pjesëtar i stafit më ka ndihmuar dhe më ka bërë të ndihem shumë komode.
Ti je vajza më e bukur e stafit?
Epo, duke konsideruar faktin që jam “Miss World Albania 2012” (qesh). Megjithatë mund të them që edhe vajzat e tjera të stafit janë mjaft simpatike.
Ka në staf femra që të shohin me inat se ti je kaq e bukur?
Patjetër që jo! Akademia e vlerëson të bukurën dhe të mençurën! Të gjitha vajzat dhe gratë që punojnë në Akademi kanë qenë shumë të sjellshme, mbështetëse dhe mikpritëse. Me disa prej tyre kam krijuar një marrëdhënie shumë të mirë.
A po të pengon puna e re në përgatitjen e parashikimit të motit?
Jo, unë e planifikoj kohën për t’i bërë të dyja dhe për t’i bërë mirë! Është e vërtetë që nuk më mbetet shumë kohë e lirë për veten, megjithatë është një sakrificë që e bëj me dëshirë për t’u rritur dhe kompletuar më shumë.
Po plani për t’u bërë gazetare e për të realizuar një emision televiziv nuk qëndron më?
Unë nuk kam menduar ndonjëherë të bëhem gazetare e mirëfilltë, por dëshira, qëllimi im për t’u bërë një prezantuese e zonja dhe e suksesshme mbetet më i fortë se kurrë. Nuk besoj se do më venitet ndonjëherë!
Tani kalojmë tek thashethemet… Është e vërtetë që do prezantosh festivalin e fundvitit në RTSH?
(qesh) Në fakt nuk janë aspak thashetheme! Është e vërtetë që unë do të prezantoj festivalin në RTSH dhe jam e lumtur që kjo ëndërr për të prezantuar një spektakël kaq të rëndësishëm, është në prag të të bërit realitet.
Kush ta propozoi dhe si e prite?
Propozimi më erdhi nga televizioni për të cilin unë punoj. Natyrisht “RTSH” e kishte diskutuar këtë gjë më parë me ta. “ABC News” më ka mbështetur vazhdimisht në çdo hap timin në fushën e televizionit dhe e ka nxitur suksesin tim deri tani. E prita këtë lajm me shumë emocion dhe entuziazëm! Jam e bindur se do ta shijoj shumë këtë eksperiencë.
Kush do të jetë përkrah teje në prezantim?
Në krahun tim do të jetë gazetari i mirënjohur Enkel Demi.
E ke ndjekur spektaklin “Miss Albania” që u realizua në “TV Klan”?
E kam ndjekur me shumë interes. Kam vizituar vajzat edhe gjatë provave dhe kam qenë vazhdimisht në kontakt me stafin e “Miss Mister Albania”.
Si t’u duk organizimi?
Organizimi ishte shumë i mirë. Vera Grabocka dedikohet shumë për të realizuar një spektakël të vërtetë. Më pëlqeu fakti që skenografia ishte madhështore, vajzat të trajnuara mirë, juria shumë e kualifikuar, dhe kostumet e fustanet e Enada At’Nikollës, përrallore e mbresëlënëse!
Po fitueset? Ishe dakord me çmimet që u dhanë?
Po. Mendoj se vajzat më të mira fituan.
Çfarë mendon për vajzën që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Miss World”?
Është një vajzë e ëmbël dhe elegante, si në trup ashtu edhe në sjellje.
Ka shanse të fitojë?
Nuk e besoj. “Miss World” i ka të parashikuara rezultatet dhe i bazon kryesisht tek lobimi i fortë i shteteve pjesëmarrëse. Shqipëria është një vend i vogël dhe i parëndësishëm për ta.
Çfarë do t’i këshilloje kësaj vajze, meqë ti e ke kaluar këtë eksperiencë?
Ta shijojë sa më shumë këtë eksperiencë, sepse rrallë të bie rasti të shkosh deri në Indonezi, ku do të zhvillohet vitin tjetër “Miss World”. Ersela duhet të krijojë sa më shumë kontakte të reja, të mësojë sa më shumë nga vajzat dhe disiplina atje, dhe të ndihet krenare që përfaqëson vendin e saj në eventin më të madh të bukurisë në botë.
Çfarë duhet dhe nuk duhet të bëjë ajo kur të shkojë atje?
Nuk duhet të mendojë për çmimin e fitoren dhe të mbyllet në vetvete, por të ndajë eksperiencën dhe momentet e bukura me vajzat që do bëjë mikesha atje. Duhet të komunikojë sa më shumë, të bëhet gati në kohë dhe t’i kushtojë shumë vëmendje grimit, flokëve dhe veshjes, pasi këto gjëra vihen re në “Miss World”.

Adelajda Xhamani Bluetooth

Scroll To Top