Wednesday , April 23 2014
You are here: Home / Intervista / Merita Halili: Linda në skenën shqiptare, i përkas këtij vendi!

Merita Halili: Linda në skenën shqiptare, i përkas këtij vendi!

Flet me “Koha Tjetër” artistja e mirënjohur, rrëfim mbi jetën dhe karrierën artistike në Shtetet e Bashkuara.

Z ëri brilant, pasioni dhe talenti për të njohur me themele muzikën shqiptare, e kanë bërë të jetë një nga emrat më të spikatur në Shqipëri dhe jashtë trojeve shqiptare. Merita Halili, është cilësuar për vite me radhë si “ambasadorja” e këngës shqiptare në SHBA. Pasi ka lënë vendin e saj për një jetë më të mirë në Shtetet e Bashkuara, ajo dhe bashkëshorti i saj Raif Hyseni, tashmë janë binomi që kanë integruar larminë e muzikës shqiptare në botë.

Në një intervistë për “Koha Tjetër” Merita Halili, rrëfen rikthimin e saj pas dy vitesh në skenën shqiptare, rrugën e gjatë për të integruar muzikën shqiptare në SHBA së bashku me bashkë-shortin dhe artistin Raif Hyseni, si dhe “mungesën” e Tiranës, vendit ku u lind dhe u rrit profesionalisht. Debutimi i parë i sukse-sshëm, në të cilin Merita Halili ra në sy për nivelin e lartë të interpretimit të këngës popullore, ka qenë në vitin 1983 në moshën 17 vjeçare, duke kënduar këngë popullore shqiptare, të cilat ajo i quan “poezi e pastër”. Më pas, ajo u perfe ksionua profesionalisht duke arritur që ta këndojë muzikën tradicionale në një mënyrë tjetër. Merita Halili ka pastruar nga folku kombëtar, meloditë e vjetra, ose ato të huazuara, dhe nga kjo veti ajo u bë shumë e dashur për një audiencë të gjerë. Zëri i saj u shpall i fuqishëm profesionalisht dhe kështu Merita Halili i dha jetë të re melodive, duke i çuar ato në një tjetër nivel. Ajo u bë soliste e Ansamblit të Këngës Popullore, dhe ishte nga të parat artiste shqiptare, që nisi të incizonte albumin e saj. Më tej gjatë intervistës do të lexoni; ana e panjohur të Merita Halilit në familje, sukseset e saj në Amerikë, mbështetjen e bashkëshortit, si dhe lidhjen me tri vajzat e saj.

Në kuadër të festimeve të Pavarësisë dhe “Sofrës Tiranase”, sollët disa nga perlat më të bukura të muzikës tradicionale shqiptare. Si ndiheni pas dy vitesh mungesë?

“Sofra Tiranase” ka një rëndësi shumë të madhe për mua se kanë qenë të parët që më kanë ftuar pas shumë vitesh që kur kam emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shoqata “Tirana” e Arben dhe Ilir Tafajit, më sollën përsëri në këtë skenë. Ishte një atmosferë e pakrahasu-eshme. Sonte, zgjodha një repertor brilant dhe një këngë, që e kam kënduar këtu e para 23 vitesh dhe ishte shumë e rëndësishme. Kënga e shoqërisë kishte dhe një rëndësi tjetër pasi ajo më ka ngjitur dhe më ka dhënë suksesin e parë dhe pa diskutim, që kjo këngë futet në 100-vjetorin muzikor, që janë perla dhe arie të vërteta shqiptare.

100-vjetori i Pavarësisë ju gjeti larg Shqipërisë, por jo larg atdhetarizmit pasi ju keni qenë e angazhuar me shumë projekte në vende të ndryshme të botës…Na tregoni diçka më shumë.

Prej dy javësh ne jemi angazhuar me festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë. Që të premten e kaluar e nisëm me Kanadanë, Manhattan, Nju Jork, etj, kudo ku ka pasur shqiptarë. Plus që kënduam himnet e flamurit në çdo koncert dhe në ambasadën e Shqipërisë në Manhattan, ku u organizua një pritje mbresëlënëse. Me pak fjalë kudo ku ka pasur frymë shqiptari në këto ditë të veçanta për Shqipërinë, ne jemi ndodhur mes tyre.

Integrimi i muzikës shqiptare është një tjetër sukses që ju keni prekur së bashku me bashkëshortin tuaj Raifin. Ka qenë e vështirë kjo rrugë?

Më vjen mirë që e prekët këtë detaj mjaft të rëndësishëm, pasi prej kaq vitesh media sikur i ka ikur të vërtetës, flas në adresën tonë si çift. Ne kemi dhënë shumë kontribut dhe përfaqësojmë vërtetë si dy ambasadorë, muzikën dhe folkun shqiptar në Amerikë. Ndërsa, media shqiptare nuk ka arritur ta prekë këtë element shumë domethënës për ne si artist dhe sidomos për arritjet e muzikës shqiptare në SHBA. Ne jemi munduar ta ngremë lartë muzikën shqiptare dhe këtë e tregon më së miri sukses,i që ne kemi patur për vite me radhë. Ikja juaj nga Shqipëria në ’95 nuk ka qenë dhe aq e lehtë pasi iu është dashur të sakrifikoni për të arritur këtu ku jeni sot.

Ndjeheni krenare nga ky fakt?

Ikja ime nga Shqipëria nuk ka qenë aspak e lehtë, për të mos thënë se çdo gjë e nisa nga zero. Nëse nuk do të kisha mbështetjen e Raifit në të gjitha aspektet, nuk do të kisha arritur këtu ku jam sot. Falë talentit dhe pasionit që na ndjek dhe sot, pa diskutim dhe vështirësive jam shumë e lumtur për të gjitha sakrificat që kam bërë. Falënderoj Zotin, që na ka dhënë fuqi dhe fat për të ecur përpara. Publiku na duartroket dhe na do po me të njëjtën dashuri, që ne kemi marrë në skenat shqiptare.

Përveçse një artiste ju jeni dhe një bashkëshorte dhe nënë e tre vajzave. Na trego pak për anën e panjohur të Meritës?

Unë jam rritur si një vajzë “tironse” dhe vazhdoj t’i ruaj traditat e mija ashtu siç kam qenë në vajzëri. Disiplina ka qenë një ndër pjesët e karakterit tim, jam rritur duke qenë një nënë e shkëlqyer, një grua e shkëlqyer, një amvisë shumë e mirë. Këto janë tre gjërat që duhet të ketë një femër shqiptare dhe në këtë aspekt, gjithmonë kam patur përgjegjësi ndaj vetes dhe ndaj familjes. Për mua familja është diçka shumë e shenjtë, që nuk lihet pas dore për asnjë moment.

Si janë raportet e tua me tri vajzat?

Të tria vajzat, kanë marrë drejtime të ndryshme. Vajza e madhe Megi, është diplomuar për mësuese, Enxhi është në shkollë të mesme në vitin e 3-të dhe Rea në klasë të katërt. Janë rritur me dashuri për Shqipërinë, për vendin e tyre nga kanë ardhur, flasin shumë mirë shqip. Në shtëpinë tonë nuk ka munguar asnjëherë e folura shqip dhe kjo është shumë e rëndësishme për familjen tonë!

Përveç zërit të mrekullueshëm që ju i dhuroni publikut, është dhe prezenca juaj magjepsëse. Kush kujdeset për lookun tuaj?

Në Amerikë më mungon ideatorja dhe shoqëruesja ime nëpër festivale, që në moshën 13-vjeçare, Bebeka Alla. Është e vetmja që më ka ndjekur pas, gjatë gjithë karrierës sime, më ka veshur dhe kombinuar. Ndërsa, në Amerikë po bashkëpunoj me një vajzë shqiptare, e cila më ka dizenjuar dhe fustanin me flamur timin.

Shqiptarët nuk ju mungojnë asnjë moment, ju mungon skena shqiptare?

Të them të drejtën sonte isha gati duke qarë, sepse emocionet të vijnë dhe me të qara. Kur shikoja të gjithë ata spektatorë që më shikonin me ëndje, që më vlerësonin dhe duartrokisnin njësoj po me atë dashuri, isha gati të qaja. Nuk mund ta krahasoj skenën e Tiranës me asnjë skenë tjetër të botës. Pa diskutim që bashkatdhetarët janë një pjesë imja që më ndjekin kudo, por unë kam lindur këtu në këtë vend dhe unë i përkas këtij vendi! Jeni cilësuar si ambasadore e muzikës shqiptare deri në këto momente.

Por, a keni menduar ndonjëherë të shkëputeni nga muzika?

Njerëzit duhet të jenë koshientë për çdo gjë! Çdo fillim ka dhe një mbarim, por shpresoj që ta mbaroj me nder dhe me faqe të bardhë.

Jemi në ditët e para të dhjetorit, por cilat janë projektet tuaja për festat e fundvitit?

Zakonisht marrim pjesë në eventet, që organizohen nëpër vende të ndryshme. Shpesh herë jam ftuar nga Amerika në Evropë, këtë vit po e lemë surprizë dhe nuk po e them se ku do jem. Vazhdimisht jam e lidhur me aktivitete kulturore dhe shpresoj, që zoti të më ruajë zërin dhe unë të kënaq spektatorin në çdo moment.  Izaura Ndoj Koha Jone

Scroll To Top